NACIONAL |  ZEMRASHQIPTARE |  PRISHTINA PRESS |  KLOSI NEWS



Nacional

2013

Krystyna Lenkowska ka botuar tetë vëllime me poezi, dy prej të cilave u botuan në edicione dygjuhëshe polonisht-anglisht: Keep off the Primroses (Mbahu larg aguliçeve), 1999, dhe Eve’s Choice (Zgjedhja e Evës), 2005. Poezitë, fragmentet e prozës, përkthimet, shënimet letrare dhe intervistat e saj u botuan në shumë gazeta dhe antologji në Poloni (Fraza, Odra, Topos, Twórczo??), SHBA (Absinthe, Boulevard, Chelsea, Confrontation, The Normal School, Spoon River Poetry Review), Ukrainë, Bosnjë dhe Hercegovinë, Republikën Çeke, Lituani, Maqedoni, Mongoli dhe Indi. Më 2013, poezia e saj “Syri i John Keats-it në Romë” fitoi çmimin e parë në konkursin ndërkombëtar të poezisë në Sarajevë, “Kërkim i një poezie”. Sivjet ajo u laurua me çmimin letrar “Menada” të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”, Tetovë. Lenkowska është anëtare e Shoqatës së Shkrimtarëve të Polonisë.

Përktheu nga anglishtja: Silke Liria Blumbach



NË NGJYRËN E MËLLAGËS – VALSI I CHOPIN-IT



Ai luajti
një vals pastaj livadh dhe erë
ajo fluturoi mbi barin majhosh mbi një sonatë
dhe mbi një prelud
sikur ajo të mos jetonte më ende nuk jetonte në trupin e saj
tha dhe e ftoi në vendin e saj
të nesërmen mbasdite


Mon Dieu!
ajo pi një puro vesh pantallonat
(a është femër?) kapele si flakadanë
kostumi i saj kuq-e-bardhë
ka thashetheme që gjaku i një mbreti polonez qarkullon në dejtë e saj
dhe ajo vallëzonte mazurka poloneze
o Zot!


pas pak
do të zhvendosë pianon e tij të modës në vendin e saj
ajo shkruan libra të mençur çdo ditë pas darkës kjo nënë e re
si bashkëshorte e një faraoni
ajo e quan gjeniun e saj dhe ngordhalaqin e saj
fëmijët e saj ruajnë derën e dhomës së fjetjes duke shpresuar
që ai do të vdesë
në Majorkë
kërret dhe është duke vdekur
gishtat e tij të lagësht e të akullt dhe telat
monotonë të shiut e vrasin
trembet nga vdekja dhe dhembshuria
mjekët e ishullit thonë se do të vdesë shpejt ose
ka vdekur tashmë


në Paris
e presin sallone
një dendi, mbi një triko vë ngjyrën e mëllagës dhe doreza
si hikërror i bardhë si bora
një stuhi e kërmëztë ngrihet në gjoksin e tij
shkëndijat e saj do të ndezin gjithçka
në një zjarr të përkryer


kollitet
dhe pështyn gjak
prapa dërrasës së kraharorit të tij, mall për atdheun polonez
i pagjumë si agimi kozmik
ajo është aq tmerrësisht e gjallë dhe e bukur
kudo përreth mbretër jete pinë gëlltisin argëtohen pas tyre vërshimi
dhe zjarri


shumë larg atje
ëndërroi për dritë
dhe për qiellin që lind mbi një pyll thuprash në kuinta
dhe oktava të pastra
këtu tavane rrezatuese si gjymtyra peme bien në akorde treshe djallëzore
kush është ky?
luaj or bir mos kursej asnjë tingull
mos ndal.



SYRI I JOHN KEATS-IT NË ROMË



Orë të tëra gjendet në dritare
nganjëherë hidhet mbi Shkallën Spanjolle
ose në lumin Tiber

mbi shkallët
plaset dhe pastaj si xhel meduze
kthehet i paprekur në pëllëmbën e bronztë të një shitësi rruge

në ujë
noton dhe pastaj fluturon për të tharë krahët
fshin harqet e Hadrianit të urave
qiellin e kupolave të Vatikanit
varganët e pishave të horizonteve

në mbrëmje porosit të njëjtën verë
në të njëjtin bar
më në fund i kthehet dritares dhe shkruan mbi xham me gishtin e tij

turmat mbi shkallët nuk e lënë të flejë gjumë
nuk di se çfarë të bëjë tjetër
kështu që fillon gjithçka përsëri

nga bebëza
nga bërthama.




NEKROLOGJI PËR WISLAWA SZYMBORSKA



Pas një jete të durueshme dhe të padurueshme sipas rregullit
Me veçantinë e saj të fshehur si medaljen e çmimit Nobel
Në sirtarin e saj
Wislawa Szymborska vdiq
Në shtratin e saj
Në gjumin e saj
Në një natë me të ftohtë therëse
Nuk dëshironte të bezdiste askënd
Dhe qetësisht u zhduk ashtu si
Dikush përvidhet jashtë për të blerë shkrepësa në kioskën e gazetave
Ndërsa të tjerë gëzojnë kohën më të lumtur të jetës
Kështu, në një mot aq të ftohtë
Le të mbeten të tjerët nën batanije ngushëlluese kurse ajo mbaron
Duke e ëndërruar veten deri në fund të fundit
Në heshtje të përsosur
Ku një çast
Është i kristaltë dhe në mëngjes pjesëza ari
Bien nga dielli aq lehtë
Saqë i shmangen ligjit të
Gjithçkaje.

Përktheu nga anglishtja: Silke Liria Blumbach

http://gazeta-nacional.com/?p=6584